Plot 102 kontenierë që dyshohet se përmbajnë mbetje të rrezikshme pritet të mbërrijnë ditën e sotme në Durrës. Rrjeti i Veprimit të Bazelit ka frikë se mund të falsifikohen analizat, pasi që në momentin kur anijet u vendosën që të ktheheshin në portin shqiptar, ndërkombëtarët kanë bërë thirrje për transparencë duke kërkuar një testim të hapur publik. Madje drejtori ekzekutiv i këtij rrjeti, Jim Puckett do të jetë vetë i pranishëm ditën e sotme në Durrës. Këtë alarm e ka dhënë dhe opozita.
“Rrjeti i Bazelit, organizata më e specializuar për mbetjet e rrezikshme e toksike dha alarmin e para se këto ngarkesa ishin të dyshimta, dhe se trafiku i tyre ishte i paligjshëm. Pas kësaj, vendi ku do të mbërrinin, Tajlanda, refuzoi të mbante ngarkesat nga Shqipëria dhe anijet u kthyen mbrapsht. Të gjithë dyshojnë se qeveria nuk do të bëjë transparence, nuk do ta bëjë testimin sipas standardeve, dhe do të bëjë gjithçka për ta manipuluar rastin, për ta fshehur realitetin. Ndaj dhe Rrjeti i Bazelit, insiston sërish që ky proces të mos i lihet në dorë qeverisë, por të behet në praninë e tyre, të ekspertëve, të shoqërisë civile dhe në sytë e publikut”, tha PD pak ditë më parë.
Reagon Rrjeti i Bazelit
Ndërkohë dje në një intervistë televizive, drejtori Ekzekutiv i Rrjetit të Bazelit, Jim Puckett, shpjegoi situatën e ndërlikuar që lidhet me dërgesat e mbetjeve drejt Shqipërisë. Ai theksoi se ishin shfaqur probleme të pazakonta gjatë rrugës, duke filluar nga fikja e gjurmuesve të anijeve që transportonin mbetjet, çka kishte vështirësuar ndjeshëm procesin e lokalizimit të tyre në Oqeanin Indian. Puckett u shpreh se kalimi i dërgesave përmes vendeve si Portugalia dhe Turqia ngrinte dyshime të forta për transparencën dhe ligjshmërinë e këtij eksporti. Ai theksoi se ishte e nevojshme që qeveria shqiptare të ofronte informacion të qartë për publikun dhe të merrte mostrave nga dërgesat në mënyrë që të vlerësonte përmbajtjen e tyre. Puckett shprehu shqetësimin se, pa një hetim të plotë dhe të pavarur, nuk ishte e mundur të kuptohej se çfarë materialesh po transportoheshin dhe se si ato mund të ndikojnë në mjedisin dhe shëndetin publik. Kjo situatë kërkon një angazhim të menjëhershëm për të garantuar transparencën dhe sigurinë për qytetarët shqiptarë.
Protestë në Portin e Durrësit
Dje, qytetarë, aktivistë të shoqërisë civile, si dhe deputetë dhe eksponentë të Partisë Demokratike, kanë protestuar në hyrje të portit, duke shpalosur dhe pankartën me mbishkrimin “Mbetje të rrezikshme, Qeveri toksike!”. “Ato janë të dëmshme, dëmtojnë shëndetin e gjithkujt, ndaj dhe sot ne protestojmë, të gjithë qytetarët duhet të protestojnë.”, tha një prej protestuesve. Ndërsa një tjetër pjesëmarrëse, u shpreh se fakti që kjo sasi mbetjesh është kthyer mbrapsht tregojnë sa të rrezikshme janë. Ajo kërkoi nga qytetarët e Durrësit dhe mbarë Shqipërisë që të reagojnë fort. Nënkryetari i PD, Oert Bylykbashi është shprehur se prokuroria duhet të ishte në Portin e Durrësit për të sekuestruar kontinierët.
“Mbetjet toksike po vijnë në Portin e Durrësit dhe e bëmë këtë protestë për të caktuar qartë qëndrimin jo vetëm të PD por edhe të qytetarëve të Durrësit dhe Shqipërisë që janë kundër këtyre mbetjeve. Kjo është një skemë krimi gjigante dhe ky port është përbashkues i interesave të politikës dhe krimit. Porti është grabitur për të ja dhënë mikut të Ramës dhe kur ndodh kjo asgjë nuk mund ta pengojë kalimin e mbetjeve toksike. Këto mbetje u pikasën nga Rrjeti i Baselit dhe zbuluan skandalin duke i bllokuar në një vend tjetër dhe po i kthejnë pas për të helmuar shëndetin e qytetarëve të Shqipërisë. Ajo që na shqetëson ne përveç mungesës së transparencës është shëndeti dhe rreziku i saj nga këto mbetje toksike. Ky është prokuroria që duhet të jetë këtu e gatshme për të sekuestruar kontenierët dhe të arrestojë personat që janë përfshirë drejtpërdrejtë këtu deri te ministrat”, tha ai.
