Një investitore gjermane me bazë në Londër, e njohur si kontesha Nicole Brachetti Peretti, është përmendur në dosjet e publikuara së fundmi lidhur me financierin e dënuar për abuzime seksuale, Jeffrey Epstein.
Sipas dokumenteve të bëra publike nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, emri i saj përmendet në qindra komunikime me Epstein ndër vite. Raportohet se ajo ka shkëmbyer emaile me përmbajtje personale me të, përfshirë edhe periudhën pas dënimit të tij të parë për abuzim seksual ndaj të miturave.
Në disa prej komunikimeve të publikuara, ajo i referohej Epstein me terma miqësorë, ndërsa përmenden gjithashtu tentativa për ta lidhur atë me figura të njohura politike dhe publike në Britani. Mes emrave të përmendur në emaile janë ish-kryeministri David Cameron, Lord Kenneth Baker dhe Princi Andrew.
Kontesha ka qenë aktive në fushën e investimeve në teknologji dhe shëndetësi, duke bashkëpunuar me struktura të sistemit shëndetësor britanik. Ajo dha dorëheqjen si administratore e një organizate bamirëse në Britani pas publikimit të këtyre detajeve.
Përmes një deklarate, ajo është shprehur e tronditur nga krimet e Epstein dhe ka theksuar se është penduar për komunikimet me të, duke shtuar se ishte “e mashtruar dhe e keqorientuar”.
Jeffrey Epstein u arrestua në vitin 2019 dhe vdiq në burg po atë vit, ndërsa çështja e lidhjeve të tij me figura të fuqishme vijon të jetë objekt hetimesh dhe debatesh ndërkombëtare.
