Kryeinspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, ka deklaruar se do ta ushtrojë detyrën me përkushtim maksimal dhe me tre parime të panegociueshme.
Në fjalën e tij pas marrjes zyrtare të detyrës, Sula garantoi se do të jetë i angazhuar 24 orë në ditë, duke theksuar se telefoni i tij do të jetë gjithmonë i hapur për çdo qytetar apo institucion. “Ju jap fjalën se përkushtimi im do të jetë maksimal,” u shpreh ai.
Së dyti, ai premtoi integritet moral, si personal ashtu edhe të trupës së inspektorëve, duke theksuar se do të ketë përmirësim në rekrutime, masa disiplinore dhe ndëshkime sipas ligjit.
Si pikë të tretë, Sula nënvizoi zero tolerancë ndaj ryshfetit dhe korrupsionit, duke garantuar se asnjë punonjës nuk do të futet në institucion përmes ndikimeve apo pagesave të paligjshme.
Në përfundim, ai theksoi se synon që institucioni i inspektimit të kthehet në një model profesionalizmi dhe transparence.
