Një aksident rrugor është regjistruar pasditen e sotme në hyrje të qytetit të Sarandës, në afërsi të fshatit Metoq, ku dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën.
Sipas informacioneve paraprake, në aksident janë përfshirë një automjet tip “Volkswagen”, që drejtohej nga shtetasja Dhimitra Harizi, dhe një mjet tip “Toyota”, me drejtues shtetasin Sokrat Muço. Si pasojë e përplasjes, ka mbetur e plagosur drejtuesja e automjetit “Volkswagen”.
E dëmtuara është transportuar menjëherë në Urgjencën e Spitalit të Sarandës, ku po merr ndihmën mjekësore të nevojshme. Burime nga spitali bëjnë me dije se ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat po punojnë për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit. Qarkullimi në zonë është zhvilluar me kujdes të shtuar.
