Moldavët kanë filluar të votojnë mëngjesin e së dielës për ta rizgjedhur apo rrëzuar presidenten proevropiane dhe mbase për t’i mishëruar synimet e tyre evropiane në Kushtetutë. Derisa ata po inkurajohen nga Perëndimi, dyshimet janë të mëdha se Moska po përzihet në votimet e tyre.
Moldavia dhe vende të huaja kanë paralajmëruar për ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë përmes dezinformimit, blerjes së votave dhe dërgimit të parave për të nxitur trazira, pasi Kishinjevi dhe bashkësia ndërkombëtare kanë treguar sa shumë i kushtojnë rëndësi zgjedhjeve të lira, drejta dhe paqësore.
Presidentja e tanishme, Maia Sandu, përballet me 10 kundërshtarë të kryesuar nga socialisti prorus, Alexandr Stoianoglo, dhe ish-kryetari populist, Renato Usatii, në zgjedhjet e treta të drejtpërdrejta presidenciale të republikës së varfër ish-sovjetike, në një kohë kur vendi po përballet me polarizim të brendshëm dhe me luftën në lindje, në Ukrainë.
Referendumi, i thirrur nga Sandu, i pyet 3.3 milionë moldavë brenda dhe jashtë vendit nëse e “mbështesin ndryshimin e Kushtetutës për anëtarësimin e Republikës së Moldavisë në Bashkimin Evropian”.
Rezultatet e këtyre votimeve mund të ofrojnë mësime të vlefshme për aleatët e Sandut dhe opozitën para zgjedhjeve parlamentare të verës së ardhshme, të cilat do të jenë një referendum për katër vjetët e qeverisjes nga Partia e Veprimit dhe Solidaritetit (PAS), që ajo e themeloi tetë vjet më parë.
Megjithëse në Moldavi presidenti ka pushtet të kufizuar ekzekutiv, Sandu e ka përdorur me sukses mesazhin e saj properëndimor dhe ndikimin e saj me partinë PAS për të sjellë disa reforma të kufizuara dhe për të siguruar kandidaturën formale të vendit për anëtarësim në BE, pavarësisht ndarjeve të thella brenda ish-republikës sovjetike.
Një nga veprimet e saj më ambicioze ka qenë eliminimi i varësisë së Moldavisë nga gazi natyror rus pas pushtimit të plotë të Ukrainës, por kjo ka shkaktuar inflacion dhe vështirësi të tjera ekonomike për shumë nga 2.4 milionë banorët e Moldavisë.
