Qeveria e Venezuelës ka reaguar me tone të forta pas sulmeve ajrore të kryera ndaj bazave ushtarake në territorin e saj, të cilat sipas Karakasit janë urdhëruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një deklaratë zyrtare, autoritetet venezueliane e kanë cilësuar këtë veprim si një shkelje të rëndë të sovranitetit dhe një agresion ushtarak jashtëzakonisht serioz, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të reagojë dhe të ndëshkojë këtë akt.
“Venezuela refuzon dhe dënon këtë agresion ushtarak, i cili kërcënon paqen dhe stabilitetin rajonal dhe ndërkombëtar”, thuhet në deklaratë.
Reagimi vjen pas raportimeve për shpërthime dhe sulme ndaj objekteve ushtarake pranë kryeqytetit Caracas, ndërsa autoritetet kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe kanë rritur masat e sigurisë në të gjithë vendin.
Nga ana tjetër, administrata amerikane ka konfirmuar se është në dijeni të sulmeve, duke bërë të ditur se ato janë urdhëruar nga presidenti amerikan. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa pritet reagimi i organizatave ndërkombëtare dhe zhvillime të mëtejshme në orët në vijim.
