Një baba nga Zvicra ka rrëfyer për herë të parë momentet dramatike të natës së Vitit të Ri, kur një zjarr shkatërrues përfshiu lokalin “Le Constellation” në Crans-Montana, duke u kthyer në një nga tragjeditë më të rënda të viteve të fundit. Falë një zinxhiri rastësish, ai arriti të shpëtonte jetën e vajzës së tij dhe të paktën dhjetë të rinjve të tjerë.
Paolo Campolo, 55 vjeç, aktualisht i shtruar në spitalin e Sionit për probleme serioze me frymëmarrjen nga thithja e tymit, tregon se gjithçka nisi me një telefonatë nga vajza e tij 17-vjeçare, Paolina, pak çaste pas mesnatës. Ajo ishte nisur për të festuar Vitin e Ri në klubin luksoz, por ishte vonuar pasi kishte ndaluar fillimisht në shtëpinë e të atit për të festuar së bashku.
“Kjo vonesë i shpëtoi jetën”, thotë Paolo. Vajza e tij nuk kishte hyrë ende në lokal, ndryshe nga i dashuri i saj, i cili ndodhej brenda kur shpërtheu zjarri. Rreth orës 01:20, Paolina e telefonoi të atin në panik. Nga shtëpia e tij, jo shumë larg, Paolo pa flakët dhe pa menduar dy herë vrapoi drejt lokalit, duke marrë me vete një fikëse zjarri.
“Brenda kishte tym të zi kudo. Zjarri ishte përhapur me një shpejtësi të tmerrshme. Nuk kishte më oksigjen dhe njerëzit po mbyteshin”, kujton ai. Jashtë, Paolo pa vajzën e tij të shokuar, duke pritur që i dashuri i saj të dilte. Ai arriti të shpëtonte për pak sekonda, por tani ndodhet në gjendje kritike në spital me djegie të rënda.
Edhe pse mendonte se fikësja ishte e padobishme, Paolo nuk u tërhoq. Me ndihmën e një personi tjetër, ai theu një dritare dhe arriti të krijojë një dalje. “Arrita të nxirrja dhjetë të rinj. Disa ishin të djegur rëndë, disa të vetëdijshëm, të tjerë jo. Ata kërkonin ndihmë në gjuhë të ndryshme. Ishin shumë të rinj”, rrëfen ai me zë të dridhur.
Pamjet që pa do ta ndjekin gjatë gjithë jetës: trupa të shtrirë në dysheme, vajza të reja me djegie në lëkurë, njerëz të dehur e të plagosur rëndë. “Mendimi i vetëm që më mbajti në këmbë ishte: mund të kishin qenë fëmijët e mi”, thotë Paolo.
Ai shpreh mirënjohje të thellë për qytetarët dhe bizneset lokale që u mobilizuan menjëherë për të ndihmuar, si dhe për profesionistët e emergjencës. “Vajza ime mbijetoi falë një zinxhiri të pabesueshëm ngjarjesh. Nëse do të kishte ndodhur pak më herët apo pak më vonë, historia do të kishte qenë krejt tjetër”, përfundon ai.
