Prej disa ditësh, po dalin në dritë detaje skandaloze nga dosja hetimore e SPAK-ut për aferën e Tunelit të Llogarasë, ku është përfshirë zv/kryeministrja Belinda Balluku. Dokumentet paraprake të SPAK-ut, të bazuara në komunikimet e ruajtura nga ish-drejtori i ARRSH, Evis Berberi, dhe dokumente zyrtare, hedhin dritë mbi një skemë të sofistikuar manipulimi dhe përvetësimi parash. Sipas dosjes, bashkimi i kompanive turke “İntekar Yapi Tur. Elekt. Ins. San. Ve Tic. Ltd. Sti” dhe “Asl Insaat Taahhut Ve San. Tic. Ltd. Sti” u paracaktua fitues i procedurës për Tunelin e Llogarasë, me një vlerë rreth 190 milionë euro, pasi më parë ishte anuluar oferta fituese e kompanisë “Gjoka” prej 140 milionë euro.
Ky paracaktim, sipas SPAK-ut, u bë me pazar në tavolinë, duke shkelur qartë barazinë në tendera dhe duke përfshirë shpërdorim detyre me pasoja të rënda. Megjithatë, një boshllëk i madh mbetet ende. Ku kanë përfunduar 50 milionë euro? Të gjitha manovrat dhe shkeljet duket se kanë pasur një qëllim të vetëm, përvetësimin e parave.
Skema
Një pjesë kyçe e skemës lidhet me situacionet e punimeve. Firma turke vilte situacionet, duke manipuluar dokumentet që tregonin punimet e kryera dhe vlerën e pagesave, për të justifikuar pagesa të dyshimta dhe për të zhdukur fondet. Kjo praktikë krijon një rrjet të organizuar lëvizjesh financiare, ku paratë lëvizin nga Shqipëria drejt Turqisë dhe më pas rikthehen tek kompania “Gjoka”. Pas përfitimit të tenderit pa plotësuar kriteret e kërkuara, grupi turk kontraktoi Gjoka Sh.p.k për ndërtimin e tunelit me vlerë 140 milionë euro – të njëjtën kompani që kishte fituar në procedurën e parë, por që iu hoq tenderi. Kjo lëvizje tregon se struktura e kontratave dhe e pagesave ishte planifikuar për të fshehur shpenzime dhe përfitime të dyshimta, duke e kthyer projektin në një instrument për zhvatje të fondeve publike.
Në këtë mënyrë, SPAK po heton jo vetëm paracaktimin e fituesit, por edhe manipulimin e dokumentacionit financiar dhe situacioneve, që sipas hetimeve paraprake, mund të ketë shërbyer për të zhdukur 50 milionë euro. Çështja mbetet në duart e SPAK-ut: A janë turqit dhe situacionet e falsifikuara pjesë e grabitjes së miliona eurove nga Balluku dhe vartësit e saj? Vetëm hetimi do ta tregojë. Këto pikëpyetje ngre edhe ish-kryetari i Gjykatës së Apelit në Tiranë, Alaudin Malaj. Ai theksoi së fundmi se mënyra se si janë lëvizur fondet nga Shqipëria drejt Turqisë dhe më pas rikthimi i tyre në kompani shqiptare është një praktikë që tregon përfshirjen e një rrjeti kriminal të organizuar.
“Kalimi i lekëve nga Shqipëria në Turqi dhe ardhja sërish në kompani shqiptare është mafia! Çfarë ndryshimi ka me Italinë? Ku kanë shkuar këto miliona euro?” shtroi pyetjen ish-gjyqtari. Sipas Malajt, kjo aferë tregon se pas tenderit qëndron një grup i fuqishëm kriminal me ndikim të madh në strukturat shtetërore. “Unë mendoj se këto para kanë shkuar në një bandë kriminale në Shqipëri, aq të fortë sa të shtrëngojë të gjithë vetëm nga kjo çështje. Ky është mendimi im,” tha ai.
Alarmi i opozitës
Gjithashtu se kjo skemë nuk ka të bëjë vetëm me paracaktimin e fituesit e ka ngritur dhe opozita, të cilët zbuluan dje se kontrata për tunelin e Llogarasë është më shumë se 190 milionë euro dhe se punimet nuk janë bërë siç janë parashikuar. “Bazuar në projekt dhe preventiv, do të duhej të kishim edhe dy ura panoramike në hyrje dhe dalje të tunelit, e meqenëse në gjuhën teknike këto janë “vepra arti”, ndërtimi i tyre e rriti me 25 milionë euro koston e ndërtimit.
25 milionë euro për ndërtimin e dy urave, të cilat në realitet nuk ekzistojnë. Po, po, prestigjatori, piktori dështak që kemi në krye të qeverisë, zhduku jo vetëm dhjetëra miliona euro në këtë aferë, por zhduku edhe dy urat”, tha Belind Këlliçi. Më tej ai ironizoi duke u shprehur se “oreksi vjen duke ngrënë dhe 50 milionë euro nuk u mjaftuan, ndaj vendosën të zhdukin edhe 25 milionë euro të tjera, duke zhdukur ndërtimin e urave”.
