Skandali i Pashalimanit – 80 hektarë tokë ushtarake të nxjerra jashtë planit të NATO-s për t’u dhënë privatëve

Data

Skandali i Pashalimanit hedh dritë mbi mënyrën se si institucione të larta të shtetit mund të vendosen në shërbim të interesave private. Sipas denoncimit të ish-ushtarakut të lartë, Artur Meçollari, 80 hektarë të bazës ushtarake janë nxjerrë nga Plani i Përhapjes dhe Veprimit pa respektuar procedurat ligjore, pa formuar grup pune, pa marrë miratimin e NATO-s dhe mbi dokumente të jashtëligjshme. Pavarësisht që Ministria e Mbrojtjes në dhjetor 2024 konfirmonte se baza ishte në proces vlerësimi nga strukturat e NATO-s, vetëm 34 ditë më pas Presidenti Bajram Begaj, me propozim të Ministrit Pirro Vëngu, nxori dekretin që i mundësonte një oligarku në hetim në Itali të përfitonte pronën.

Procedura e duhur, e cila përfshin ngritjen e një grupi pune nga Shtabi i Përgjithshëm, studimin e opinionit të Forcës Detare dhe miratimin e të gjitha institucioneve përkatëse, është shkelur plotësisht. Për më tepër, ky vendim mbështetet mbi një procedurë të vitit 2016, aktualisht në hetim nga SPAK në dosjen 109/2021, dhe është kryer në një kohë kur Shqipëria nuk kishte ofruar Pashalimanin për vlerësim nga NATO.

Skandali

“Shpejtësi skëterrë për zhvatjen e 80 ha në Pashaliman. Pse hesht strategu Vëngu dhe të tjerët? Shteti në shërbim të oligarkëve. 30 dhjetor 2024. Ministria e Mbrojtjes i përgjigjet një gazetari të interesuar se ” Shtabi i Përgjithshëm i Forcave te Armatosura nuk ka plan apo dijeni për nxjerrjen e bazës ushtarake te Pashalimanit nga plani i vendosjes dhe i përhapjes. 3 shkurt 2025. Vetëm 34 ditë më pas Presidenti i Republikës Bajram Begaj me propozim të Ministrit Vëngu, me dekretin Nr. 24 nxori nga Plani i Përhapjes dhe Veprimit pronën Nr. 1314, rreth 80 ha (me të kuqe). Në 30 dhjetor 2024 sipas Ministrisë së Mbrojtjes “Baza ushtarake e Pashalimanit është ne proces vlerësimi nga strukturat e NATO-s për kapacitetet e ofruara nga vendi ynë”.

Për të kryer këtë procedurë, sipas ligjit, duhen këto veprime: Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA ngre një Grup Pune në Shtabin e Përgjithshëm: Grupi i Punës realizon një studim duke marrë dhe opinionin e Forcës Detare; Grupi i Punës i dërgon mendimet e tij Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA; Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA pasi bie dakord ia nis Ministrit të Mbrojtjes; Ministri i Mbrojtjes pasi bie dakord ia nis si propozim Presidentit të Republikës; Presidenti i Republikës pasi bie dakord miraton ndryshimin në Planin e Vendosjes dhe Përhapjes dhe nxjerr dekretin. E gjithë procedura është e klasifikuar.

Po NATO është pyetur në këto 34 ditë të zhvillimit të procedurës. Kjo pronë prej 80 ha i është dhënë me koncesion një biznesmeni në hetim në Itali. Nuk ka patur procedurë. Pasi propozimi i Ministrit Vëngu është bërë mbi një procedurë të jashtëligjshme të vitit 2016 dhe që është në hetim nga SPAK në dosjen 109/2021. Po ashtu kjo procedurë është bërë kur Shqipëria nuk i kishte ofruar NATO-s Pashalimanin”, shkruan Meçollari.

Çfarë është procedura e jashtëligjshme e vitit 2016?

në vitin 2016 qeveria shqiptare ndërmori një manovër të mirëmenduar ligjore për të hapur rrugën e tjetërsimit të pronave të ushtrisë, veçanërisht atyre të Forcave Detare në qytetet bregdetare si Durrësi, Vlora, Saranda e Shëngjini. Truku konsistonte në nxjerrjen e këtyre pronave jashtë “Planit të Përhapjes dhe Vendosjes” së Forcave të Armatosura, një dokument strategjik që përcakton se cilat pasuri kanë funksion ushtarak dhe cilat jo. Në momentin që një pronë ushtarake hiqej nga ky plan, ajo humbiste statusin e pronës me përdorim ushtarak, duke u barazuar me një pronë të zakonshme civile.

Ky veprim dukej teknik dhe i padëmshëm në letër, por në praktikë krijonte bazën ligjore për të anashkaluar ligjin nr. 9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, që përcaktonte qartë se pronat që i shërbejnë interesit publik apo mbrojtjes kombëtare nuk mund të kthehen apo të privatizohen. Kështu, me anë të këtij “truku administrativ”, pronat ushtarake kalonin në status të lirë për përdorim civil, çka i hapte rrugë vendimeve të mëvonshme të Këshillit të Ministrave për tjetërsimin, dhënien me qira 1 euro apo transferimin e tyre në favor të subjekteve private “të përzgjedhura”. Artikulli thekson se kjo skemë u bë e mundur përmes bashkëveprimit të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Financave dhe Këshillit të Ministrave, dhe se ajo ishte “menduar, konsumuar dhe ligjëruar” posaçërisht për të anashkaluar rolin e Presidentit të Republikës, i cili kishte të drejtën e miratimit për çdo ndryshim në strukturën e Forcave të Armatosura.

Në këtë mënyrë, procesi që nisi në vitin 2016 u shndërrua në një mekanizëm sistematik për grabitjen e pronave të ushtrisë, ku bazat detare, godinat e strehimit të marinës dhe tokat strategjike në vijën bregdetare, pasi hiqeshin nga plani ushtarak, përdoroheshin si pasuri publike të zakonshme për investime private, projekte turizmi apo përfitime të drejtpërdrejta ekonomike në favor të klientëve të afërt me pushtetin e kohës

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related