Gjashtë punonjës të Bashkisë së Devollit do të përballen me drejtësinë. Prokuroria e Korçës ka mbyllur hetimet për një tender të këtij institucioni, duke arritur në përfundimin se janë kryer në mënyrë fiktive si procedurat e marrjes në dorëzim dhe magazinimit të mallrave dhe pajisjeve ashtu dhe dalja e tyre nga magazinimi dhe përdorimi në punime të ndryshme nga të akuzuarit.
Ata akuzohen për veprën penale ‘Falsifikim i Dokumenteve’ dhe organi i akuzës ka provuar se kanë mashtruar me karburantin e materialet për shtrimin e rrugëve.
Sipas Prokurorisë, këta shtetas u kallëzuan nga shtetasi B.N.,për procedurën e prokurimit me objekt blerje mallra e materiale ndërtimi për nevojat e Bashkisë Devoll. Ai denoncoi se pas kryerjes së procedurës është shpallur fituesi dhe u kryen në mënyrë fiktive si procedurat e marrjes në dorëzim dhe magazinimit të mallrave dhe pajisjeve ashtu dhe dalja e tyre nga magazinimi dhe përdorimi në punime të ndryshme nga punonjësit e bashkisë.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Korçë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq gjashtë persona, punonjës të Bashkisë Devoll, të akuzuar për veprën penale ‘Falsifikim i dokumentave’ e parashikuar nga neni 183/3 i Kodit Penal. Në kuadër të hetimeve të procedimit penal nr.326 të vitit 2023, prokuroria arriti në përfundim se shtetasit G.K., me detyrë Drejtor i Agjencisë së Shërbimeve Utilitare, Komunitare dhe Administrative, A.C., Përgjegjës në Sektorin e Shërbimeve në Agjencinë e Shërbimeve Publike, K.M., Përgjegjës në sektorin e Transportit në Agjencinë e Shërbimeve Publike, E.N., Magazinier në Sektorin e Menaxhimit Financiar, dhe H.Ç. e J.B. me detyrë shoferë, kanë konsumuar veprën penale për të cilën janë akuzuar.
