Bushati tha se SPAK “sheh me sy nga Kryeministria”, pra pret sinjale nëse Rama do ta “shesë” Erion Veliajn.
Sipas analistit, hetimi për kryebashkiakun tregon standard të dyfishtë, sepse ai po trajtohet në mënyrë preferenciale krahasuar me hetimet për Ahmetajn, Berishën apo Metën, ky i fundit me masë sigurie “arrest me burg” edhe pse dyshohet për afera që kanë ndodhur shumë vite më parë dhe nuk mund të prishë më prova.
Sipas Bushatit, fati i Veliajt varet nga Rama, i cili është i vetmi person që nuk do të preket nga SPAK, ndërsa të tjerët janë “të shitshëm”.
“Ka shumë njerëz që çështjen Veliaj, duke parë përmasat e politikanit, që deri dje quhej si delfin i Ramës dhe të tjerë, e kanë trajtuar si një gur prove për SPAK-un. Dhe ka shumë njerëz që thonë, SPAK-u e mbaroi detyrën nëse procedon me Veliajn. Unë jam kundër kësaj, se nuk ka lidhje. Në një sistem autokratik të gjithë janë të pavlefshëm, vetëm autokrati nuk preket. Po ta shikosh në debate, shumë nga ne kur dalim nga emisioni dhe ulemi në kafe, nuk pyesim ç’do bëjë SPAK-u, por pyesim, a do e shesë Rama këtë Veliajn, ore sikur ia hoqi Tiranën, sikur nuk e ftoi te kjo mbledhje… Pra në nënndërgjegjen e tyre, edhe ata që janë partizanë të SPAK, e dinë që kjo punë varet nga Rama dhe jo nga një prokurori e pavarur, etj.
