Aktivisti Arben Kola u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar për të hënën, më 27 korrik, duke njoftuar se grumbullimi do të nisë në orën 08:00 në sheshin “Skënderbej”, për t’u marshuar më pas drejt godinës së Parlamentit, ku pritet të zhvillohet seanca plenare.
Gjatë fjalës së tij në protestën e së dielës, Kola kritikoi kryeministrin Edi Rama dhe dokumentin e prezantuar prej tij me emrin “Besa”, duke pretenduar se ai synon të largojë vëmendjen nga kërkesat e protestuesve.
Ai deklaroi gjithashtu se protestat do të vijojnë deri në plotësimin e kërkesave të organizatorëve dhe u bëri thirrje edhe shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit të mbështesin protestën.
Deklaratat e Arben Kolës përfaqësojnë qëndrimet e tij dhe të organizatorëve të protestës.
Deri në publikimin e këtij materiali, nuk ka pasur një reagim nga qeveria lidhur me deklaratat e bëra nga aktivisti.
