Një grup qytetarësh në Prrenjas ka kundërshtuar mundësinë e bashkimit të Bashkisë Prrenjas me Bashkinë Librazhd në kuadër të diskutimeve për reformën territoriale.
Për këtë qëllim, banorë të zonës kanë krijuar një Aleancë për Mbrojtjen e Bashkisë së Prrenjasit, ku janë përfshirë intelektualë, sipërmarrës, fermerë dhe të rinj. Sipas organizatorëve, nisma synon të argumentojë ruajtjen e Prrenjasit si njësi administrative më vete.
Organizatorët bëjnë të ditur se po hartojnë një dokument argumentues, i cili pritet të përfundojë në muajin shtator dhe t’u dërgohet Komisionit Parlamentar për Reformën Territoriale, Kuvendit, Kryeministrisë dhe institucioneve ndërkombëtare.
Sipas nismëtarëve, dokumenti do të përfshijë argumente që lidhen me potencialin ekonomik të zonës, burimet natyrore, trashëgiminë historike dhe kulturore, të cilat, sipas tyre, mbështesin ruajtjen e statusit aktual të bashkisë.
Organizatorët deklaruan gjithashtu se iniciativa është qytetare dhe nuk lidhet me përkatësi politike.
Deri në publikimin e këtij materiali, Komisioni Parlamentar për Reformën Territoriale dhe institucionet e tjera të përmendura nuk kanë reaguar lidhur me këtë nismë.
