Familjarë, të afërm dhe banorë të fshatit Vidhishtë në Roskovec i kanë dhënë lamtumirën e fundit bashkëshortëve Arben dhe Belere Plaka, të cilët humbën jetën në ngjarjen e rëndë të ndodhur një ditë më parë.
Sipas njoftimeve të Policisë, 35-vjeçari Nertil Buzi dyshohet se qëlloi me armë gjahu ndaj ish-vjehrrit dhe ish-vjehrrës së tij, duke u shkaktuar vdekjen, dhe më pas dyshohet se vrau edhe veten. Rrethanat e plota të ngjarjes vijojnë të hetohen nga autoritetet.
Gjatë ceremonisë mortore, banorë të zonës shprehën tronditjen për ngjarjen dhe ngushëllimet për familjen e viktimave.
“Është një tragjedi e rëndë. Nuk e mendonim se do të përfundonte në këtë mënyrë. I njihnim të dyja familjet dhe na vjen shumë keq për atë që ka ndodhur,” u shpreh një banor.
Një tjetër banor tha se ngjarja ka prekur të gjithë komunitetin, duke e cilësuar humbjen e çiftit si një tragjedi për familjen dhe fshatin.
Sqarim: Hetimet për këtë ngjarje janë në vijim. Rrethanat dhe përgjegjësitë do të përcaktohen nga organet kompetente në përfundim të procedurave hetimore.
