Tirana dhe Elbasani vijojnë të regjistrojnë nivele të larta të grimcave PM10, ndërsa Elbasani është qyteti i vetëm ku është konstatuar tejkalim i normës vjetore për dioksidin e azotit (NO₂). Këto janë disa nga gjetjet e Raportit të Gjendjes në Mjedis 2025 të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM).
Raporti bazohet në monitorimet e kryera në nëntë stacione të vendosura në Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Korçë dhe Fier. Vlerësimi përfshin ndotësit kryesorë të ajrit, si grimcat PM10 dhe PM2.5, dioksidin e azotit (NO₂), dioksidin e squfurit (SO₂), ozonin (O₃), monoksidin e karbonit (CO) dhe benzenin.
Sipas AKM-së, gjatë periudhës korrik–dhjetor 2025 norma vjetore për grimcat PM10 u tejkalua në dy stacione monitorimi. Në stacionin “Tirana Higjena” u regjistrua një mesatare prej 57.66 mikrogramë për metër kub, ndërsa në Elbasan 59.72 mikrogramë për metër kub, të dyja mbi kufirin e lejuar.
Raporti evidenton gjithashtu se në stacionin “Tirana Higjena” u regjistruan 33 ditë me përqendrime të PM10 mbi kufirin ditor të lejuar, nga maksimumi prej 35 ditësh të parashikuara nga standardet brenda një viti.
Për grimcat PM2.5, të cilat konsiderohen më të rrezikshme për shëndetin për shkak të aftësisë për të depërtuar më thellë në sistemin respirator, raporti nuk evidenton tejkalime të normës vjetore në asnjë prej stacioneve të monitoruara, megjithëse vlerat në Korçë rezultuan pranë kufirit të lejuar.
Sa i përket dioksidit të azotit (NO₂), tejkalimi i normës vjetore është regjistruar vetëm në Elbasan. Për dioksidin e squfurit (SO₂), raporti nuk konstaton tejkalime të kufijve të lejuar.
AKM raporton gjithashtu tejkalime të normës tetëorëshe për ozonin në Fier, Korçë, Shkodër dhe në dy stacionet e monitorimit në Tiranë, ndërsa për monoksidin e karbonit (CO) tejkalim është regjistruar vetëm në Fier. Për benzenin nuk janë konstatuar tejkalime të normës vjetore në asnjë nga stacionet e monitoruara.
Në përfundimet e raportit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit vlerëson se cilësia e ajrit në qytetet e monitoruara mbetet një sfidë, me grimcat PM10 që identifikohen si ndotësi kryesor. Sipas institucionit, trafiku rrugor, aktivitetet e ndërtimit dhe përdorimi i lëndëve djegëse fosile për ngrohje vijojnë të jenë burimet kryesore të ndotjes së ajrit në vend.
