Një zjarr ka përfshirë fshatin Fierzë, në bashkinë Belsh, ku flakët kanë përfshirë sipërfaqe me pemëtore, ullinj dhe shkurre.
Sipas informacioneve paraprake nga banorët e zonës, ekziston rreziku që zjarri të afrohet pranë banesave nëse nuk vihet në kontroll.
Në terren ndodhen forcat e shërbimit zjarrfikës të Bashkisë Belsh, të cilat po punojnë për shuarjen e flakëve. Gjithashtu, janë kërkuar mjete dhe forca mbështetëse nga bashki të tjera për të ndihmuar në operacion.
Sipas raportimeve, era e fortë po favorizon përhapjen e zjarrit, ndërsa mungesa e reshjeve në zonën e Belshit po e vështirëson ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse.
Deri në publikimin e këtij materiali, autoritetet nuk kanë raportuar për persona të lënduar apo dëme në banesa. Situata mbetet në monitorim nga shërbimet e emergjencës.
