Gjykata e Posaçme e Apelit ka shtyrë seancën për shqyrtimin e ankimit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) ndaj vendimit të shkallës së parë që shpalli të pafajshëm Erlis Dukën në procesin penal që lidhet me vrasjen e ish-policit Santiago Malko.
Sipas të dhënave nga seanca, shtyrja u bë pasi mbrojtja pretendoi se i pandehuri nuk ishte njoftuar në përputhje me kërkesat ligjore, megjithëse avokatët e tij ishin të pranishëm në gjykatë.
Në vendimin e dhënë më herët nga Gjykata e Posaçme, Leonard Duka u dënua me 30 vjet burg si organizator i vrasjes, ndërsa Fatmir Hyseni, Aleksandër Maxhaku, Dritan Aga dhe Oltion Lona u dënuan me nga 25 vjet burg secili. Në të njëjtin proces, Erlis Duka u shpall i pafajshëm, vendim që është ankimuar nga SPAK.
Leonard Duka u arrestua në Belgjikë në shkurt të vitit 2024 dhe u ekstradua në Shqipëri në muajin gusht të po atij viti për t’u përballur me procesin gjyqësor.
Për të njëjtën ngjarje janë zhvilluar edhe procese të tjera gjyqësore. Blendi Teta është dënuar me vendim të formës së prerë me 25 vjet burg, ndërsa Ilir Selmani është dënuar nga Gjykata e Posaçme e Apelit me 28 vjet burg, pas rishqyrtimit të çështjes.
Santiago Malko u vra në Tiranë më 27 gusht 2019. Sipas organit të akuzës, ngjarja lidhet me konfliktet mes grupeve kriminale. Prokuroria është mbështetur edhe në prova të administruara gjatë hetimeve, përfshirë komunikime të siguruara nga platforma Sky ECC.
Sqarim: Procedurat gjyqësore janë në vijim. Pretendimet e paraqitura nga organi i akuzës dhe palët do të vlerësohen nga gjykata kompetente, ndërsa personat e përfshirë prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.
