Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim lidhur me vendimin e ushtrueses së detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, për dekretimin e lirimit nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb.
Përmes një deklarate, një zëdhënës i BE-së tha se vendimi i Presidencës dhe ai i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) “nuk duken të jenë në përputhje me ligjin, procedurën e rregullt ligjore dhe kërkesat e sundimit të ligjit”. Sipas BE-së, prokurorët në fjalë kishin njoftuar më parë për tërheqjen e dorëheqjeve të tyre dhe institucionet përkatëse duhet të shmangin veprime që mund të pengojnë riintegrimin e personelit gjyqësor serb në sistemin e drejtësisë.
Më 21 korrik, Albulena Haxhiu njoftoi se kishte nënshkruar dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve, të cilët kishin dhënë dorëheqje nga sistemi i drejtësisë në vitin 2022. Sipas saj, vendimi zbaton aktin e institucionit kompetent dhe është në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin e Kosovës.
Më herët, Këshilli Prokurorial i Kosovës kishte refuzuar kërkesën e këtyre prokurorëve për tërheqjen e dorëheqjeve të paraqitura në nëntor 2022. Vendimi i KPK-së u pasua nga dekreti i ushtrueses së detyrës së presidentit, i nevojshëm për hyrjen në fuqi të masës.
Në reagimin e saj, Haxhiu deklaroi se procesi synon të përmbyllë një çështje të zgjatur dhe se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të veprojnë në përputhje me ligjin dhe për mbrojtjen e funksionimit të institucioneve.
Dorëheqjet e zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës ndodhën në nëntor të vitit 2022, pas thirrjes së Listës Serbe që përfaqësuesit serbë të largoheshin nga policia, gjyqësori, prokuroria dhe institucionet e tjera në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Deri në publikimin e këtij materiali, autoritetet e Kosovës dhe institucionet e Bashkimit Evropian kanë bërë publike qëndrimet e tyre për këtë çështje, ndërsa nuk është raportuar për ndryshime të mëtejshme në procedurë.
