Përshkallëzimi i tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po shton pasiguritë për transportin e naftës dhe gazit në Gjirin Persik, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se rreziku nuk kufizohet vetëm te Ngushtica e Hormuzit, por mund të shtrihet edhe ndaj infrastrukturës energjetike të rajonit.
Në një analizë të publikuar nga Deutsche Welle (DW), citohet ekonomisti Guntram Wolff, studiues në institutin kërkimor Bruegel, i cili vlerëson se Irani vazhdon të ruajë kapacitetin për të ndikuar në lëvizjen e transportit detar në Ngushticën e Hormuzit, pavarësisht operacioneve ushtarake të ndërmarra kundër tij.
Sipas analizës, Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë, pasi përmes saj kalon një pjesë e konsiderueshme e eksporteve globale të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm. Çdo ndërprerje e trafikut në këtë zonë mund të ndikojë në furnizimet ndërkombëtare me energji dhe në çmimet globale.
DW thekson se vendet e Gjirit kanë investuar prej vitesh në tubacione dhe rrugë alternative eksporti për të reduktuar varësinë nga Ngushtica e Hormuzit. Megjithatë, kapacitetet aktuale nuk janë të mjaftueshme për të zëvendësuar plotësisht volumin e zakonshëm të eksporteve që kalojnë përmes kësaj rruge ujore.
Analiza i referohet edhe vlerësimeve të kompanisë së menaxhimit të rrezikut detar MARISKS, sipas së cilës ekziston rreziku që, në rast të një përshkallëzimi të mëtejshëm, objektiva të mundshëm të bëhen edhe tubacionet, portet dhe infrastruktura energjetike në vendet e Gjirit Persik. Sipas kompanisë, një skenar i tillë do të rriste kostot ekonomike për rajonin dhe do të ndikonte në tregjet ndërkombëtare të energjisë.
Analiza përfundon se, pavarësisht zhvillimeve të ardhshme, tensionet aktuale tregojnë se çdo konflikt në rajon mund të ketë pasoja që shkojnë përtej Ngushticës së Hormuzit, duke prekur zinxhirët globalë të furnizimit me energji. Përfundimet dhe vlerësimet e paraqitura në material janë analiza të ekspertëve dhe nuk përbëjnë deklarime zyrtare të palëve të përfshira në konflikt.
