Tre shtetas nga Kosova, të cilët ishin raportuar të zhdukur, janë gjetur të pajetë në një automjet të përmbysur në segmentin rrugor mes Pikës Kufitare Bllacë dhe Shkupit, në Maqedoninë e Veriut.
Sipas autoriteteve dhe mediave në Maqedoninë e Veriut, viktimat janë identifikuar si Ejup Ternava, Cenet Ternava dhe Fatmire Shabani. Ata dyshohet se humbën jetën si pasojë e një aksidenti rrugor, pasi automjeti me të cilin udhëtonin u gjet i përmbysur në një segment të autostradës që është ende në ndërtim.
Sipas informacioneve paraprake, tre personat ishin nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit në drejtim të Kosovës, duke udhëtuar me një automjet tip Mercedes GLC me ngjyrë blu.
Autoritetet kompetente në Maqedoninë e Veriut kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit, ndërsa deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje të tjera zyrtare.
Sqarim: Rrethanat dhe shkaqet e plota të aksidentit janë ende nën hetim.
