Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë të hënën një seancë plenare, e cila është planifikuar të nisë në orën 12:00, sipas urdhrit të firmosur nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.
Në rendin e ditës është parashikuar shqyrtimi i raportit vjetor të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian për vitin 2025, si dhe projektligji “Për shoqëritë evropiane të bashkëpunimit (SHEB)”.
Gjithashtu, deputetët do të shqyrtojnë shtatë projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve kushtetuese dhe të pavarura për vitin 2025. Mes tyre janë Avokati i Popullit, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Prokuroria e Përgjithshme, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë.
Seanca pritet të trajtojë raportet vjetore të këtyre institucioneve, si pjesë e procesit të mbikëqyrjes parlamentare të veprimtarisë së tyre.
Sipas rendit të publikuar, këto janë çështjet kryesore të parashikuara për shqyrtim në seancën plenare të së hënës.
