Autopsia për 25-vjeçaren Xhuana Nikollaj zbulon shenja dhune, në kërkim ish-bashkëshorti

Data

Detaje të reja kanë dalë nga ekspertiza mjeko-ligjore për vdekjen e 25-vjeçares Xhuana Nikollaj, e cila u gjet pa shenja jete në banesën e saj me qira në Tiranë.

Sipas burimeve nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, në trupin e të resë janë konstatuar shenja dhune fizike, çka ka ndryshuar drejtimin e hetimeve të autoriteteve. Po ashtu, nga ekzaminimet është përjashtuar mundësia që ajo të ishte shtatzënë.

Pas këtyre gjetjeve, organet e drejtësisë kanë shpallur në kërkim ish-bashkëshortin e saj, Eraldo Fizi, i cili konsiderohet personi kryesor i dyshuar në lidhje me ngjarjen. Ndaj tij rëndojnë dyshimet për veprat penale “dhunë në familje” dhe “shkaktim i vetëvrasjes”.

Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se presioni dhe keqtrajtimi i vazhdueshëm mund të kenë ndikuar në gjendjen e rënduar të 25-vjeçares.

Ngjarja ka rikthyer në vëmendje problemin e dhunës në familje dhe nevojën për mekanizma më efektivë mbrojtës për gratë dhe vajzat që përballen me situata të tilla.

Policia vijon kërkimet për lokalizimin dhe arrestimin e personit të shpallur në kërkim, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes janë në vijim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related