Komisioni Europian ka publikuar raportin vjetor për Sundimin e Ligjit, ku vlerëson ecurinë e reformës në drejtësi në Shqipëri, ndërsa shpreh shqetësim për reagimet politike ndaj hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) që kanë përfshirë zyrtarë të nivelit të lartë.
Sipas raportit, pezullimi nga detyra i një zyrtari të lartë me kërkesë të SPAK-ut, si edhe kërkesa drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit parlamentar të këtij zyrtari, u shoqëruan me reagime kritike nga përfaqësues të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ. Komisioni vlerëson se deklarata të tilla mund të interpretohen si përpjekje për ndikim të papërshtatshëm mbi institucionet e drejtësisë dhe të cenojnë besimin e publikut te sistemi gjyqësor.
Në dokument theksohet se institucionet drejtuese të sistemit të drejtësisë reaguan publikisht duke dënuar presionin ndaj organeve gjyqësore, ndërsa rikujtohet se, sipas standardeve europiane, të gjitha pushtetet duhet të kontribuojnë në mbrojtjen e pavarësisë së gjyqësorit dhe të besimit të qytetarëve te institucionet kushtetuese.
Raporti ndalet gjithashtu te vendimi i Kuvendit për të mos miratuar kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të një deputeti, duke vlerësuar se ky zhvillim ka ngritur pikëpyetje mbi funksionimin e mekanizmave të kontrollit dhe balancës, si edhe mbi zbatimin e parimit të barazisë para ligjit.
Komisioni Europian shpreh shqetësim edhe për propozimet e paraqitura për ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, të cilat synojnë zgjerimin e kategorisë së funksionarëve publikë ndaj të cilëve nuk mund të zbatohet masa e pezullimit nga detyra gjatë procedimeve penale. Sipas raportit, ndryshime të tilla mund të ndikojnë në efektivitetin e hetimeve për korrupsion, veçanërisht në nivelet e larta të administratës.
Megjithatë, raporti vlerëson pozitivisht punën e SPAK-ut, duke theksuar se institucioni ka vijuar të demonstrojë pavarësi dhe kapacitete në hetimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, pavarësisht presioneve dhe kritikave publike.
Dokumenti evidenton gjithashtu se gjatë periudhës së monitoruar janë raportuar raste kërcënimesh ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve, ndërsa tetë magjistratë janë vendosur nën mbrojtje. Po ashtu, përmenden sfida që lidhen me ngarkesën e lartë të gjykatave dhe nevojën për më shumë burime njerëzore në sistemin e drejtësisë.
Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë, në reagimin e saj pas publikimit të raportit, theksoi vlerësimet pozitive të Komisionit Europian për përparimin e reformës në drejtësi, rezultatet në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe përmirësimet në funksionimin e sistemit gjyqësor, duke pranuar njëkohësisht se raporti identifikon fusha ku kërkohen reforma dhe përpjekje të mëtejshme.
