Muharrem Xhafa rrëfen të pathënat e bujshme, Sali Berisha agjent i ish-Sigurimit të Shtetit dhe i shërbimeve të…

Data

Muharrem Xhafa, ish-shef i Sektorit të Edukimit në aparatin e KQ të Partisë së Punës ka komentuar situatën politike në Shqipëri, ndërsa ka hedhur akuza të forta në adresë të politikanëve kryesorë që kanë drejtuar vendin në këto 30 e ca vite demokraci. Në një intervistë ekskluzive dhe të jashtëzakonshme për gazetën “SOT”, zoti Muharrem Xhafa, ka hedhur dritë mbi disa nga skandalet më të mëdha që kanë shënuar historinë moderne të vendit dhe jo vetëm.

Xhafa, me një qasje të guximshme dhe të drejtpërdrejtë, ka akuzuar ish-kryeministrin Sali Berisha si agjent të Sigurimit të Shtetit dhe UDB-së, ndërkohë që zbuluar një rrjet kompleks korrupsioni që përfshin disa nga politikanët më të fuqishëm të vendit. Sipas tij, Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij, përfshirë ish-presidentin Ilir Meta dhe kryeministrin Edi Rama, kanë ndërmarrë masa për të ndaluar hetimet dhe për të penguar Prokurorinë Speciale (SPAK-un) në ngritjen e akuzave ndaj tyre.

Ky rrëfim i bujshëm i Z. Xhafa për kryeredaktorin e gazetës  Rigels Seliman, ofron një pamje të detajuar të mënyrës se si janë blerë certifikatat e sigurisë dhe si janë manipuluar institucionet për të mbrojtur interesat e tyre. Po ashtu, në këtë intervistë, ish-shef i Sektorit të Edukimit në aparatin e KQ të Partisë së Punës nxjerr detaje e analizon ndodhitë që kanë shokuar opinionin publik dhe kanë tronditur themelet e politikës shqiptare.

-Zoti Xhafa, Shqipëria prej më shumë se tre dekadash ndodhet në demokraci. A jemi sot një vend realisht demokratik për të përmbushur aspiratën që kishim në fillim të viteve ’90: “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”?

Unë s’e kam fshehur asnjëherë që as kam qenë, as nuk jam, as nuk do të jem dakort me sloganin “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”. Për mua, kjo ishte një gënjeshtër e madhe e kapitalizmit amerikano-europian, i cili kishte si qëllimi jo zhvillimin e popullit shqiptar, po shembjen e rendit socialist në Shqipëri, pastaj në djall vafshi! Rigels, vendi ynë në Europë ishte, por jetonte në një rend tjetër, në rendin socialist.

Askënd nuk sulmonte, askujt nuk i binte në qafë, po edhe askush nuk guxonte ta sulmonte, se e zinte gjarpri, ngrihej në këmbë një popull i tëre. Kur një herë e sulmuan ushtarakisht nga jashtë, ata që e sulmuan e panë se ç’i gjeti! I nderuar, Europa kapitaliste ishte me plot sëmundje e plagë. Edhe sot kështu është! Tani që u bëmë Europë, dmth kapitalizëm, shihni, ju lutem, se në ç’nivele kanë shkuar në Shqipëri droga, krimi, korrupsioni e sëmundje të tjera të kapitalizmit europian e botëror.

Nuk them se fara e atyre plagëve e sëmundjeve nuk ekzistonte në vendin tonë, sepse kjo do të ishte e pavërtetë, por ishte në nivele fare – fare të vockla, të papërfillshme. Kurse sot ato plagë veprojnë sheshit dhe marrin shumë jetë njerëzish. Po do të thotë ndonjëri: kush pyet për jetën e njerëzve, tani “rëndësi” kanë paratë. Pse a nuk ke dëgjuar që pasanikët e korruptuar janë razi, të gati, të shkojnë prapa hekurave vetëm që pasuria e vjedhur të mos u konfiskohet, mbasi në burg ata jetojnë si pashallarë!

Shteti dhe shtetarët, që nga viti 1990, i kanë nxitur dhe i kanë stimuluar plagët e kapitalizmit dhe të korruptuarit, sepse përmes atyre sëmundjeve janë pasuruar dhe po pasurohen. Shteti borgjez shqiptar dhe shtetarët borgjezë shqiptarë bëjnë sikur luftojnë kundër atyre sëmundjeve e plagëve të kapitalizmit, po, në të vërtetë, jo, sepse të pasurit nuk jetojnë ndryshe! Plagët i vuajnë të varfrit, o mik, jo të pasurit! A…mbase jo të gjithë janë të korruptuar. Dakort, por kjo është tjetër gjë, veçse për t’u pasuruar, në kurriz të popullit janë pasuruar të gjithë, edhe kjo kategori. Kush nuk e di këtë, le ta mësojë.

Cilido le të mësojë se pushtetarët e korruptuar dhe kriminelë i varfërojnë popujt e tyre, madje i varfërojnë aq shumë sa i bëjnë të kalojnë gjithë kohën për të siguruar bukën e gojës, që të mos u mbetet kohë për t’u ngritur në revolta e protesta për mbrojtjen e të drejtave të veta. A jemi sot realisht një vend demokratik?, pyetët ju. Mik, në kapitalizëm ka demokraci për të pasurit, jo për të varfërit, ka demokraci për të qenë të nënshtruar, për t’i shërbyer borgjezisë, të veshurve me pushtet!

Në kapitalizëm nuk ka demokraci për të varfërit! Ato që thuhen në kapitalizëm për demokracinë janë përralla me mbret. Kjo duhet kuptuar mirë, se njerëzit e punës janë ata që i pasurojnë të pasurit. Apo jo? Të pasurit nuk jetojnë pa të varfërit. Nuk i ke lexuar afishet ngjitur xhamave të dyqaneve: Duam kamerier – e, kuzhinier – e etj.? Kjo dukuri lindi kur rinia iku jashtë vendit të vet!

-Përse ka kaq shumë korrupsion në këtë vend, është realisht drejtësia që nuk funksionon, apo jemi popull që kërkojnë të përfitojmë pa u lodhur shumë?

Ka mbi 30 vjet që sidomos të rinjtë kanë marrë rrugët e botës, fenomen ky që ka ardhur duke u agravuar! Ku kanë shkuar gjithë ato fonde që ka dërguar bota? Në xhepat e shpuar të popullit apo në xhepat e pushtetarëve të korruptuar e të fuqishëm, të cilët shteti bën sikur nuk i sheh. Sa më i korruptuar të jetë shteti, aq më i korruptuar do të jetë vendi dhe çdo organ i tij, vetë shoqëria. Po nuk vodhi shteti, edhe organet e tij kanë frikë të vjedhin, edhe shoqëria është më e pastër.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related