Kryeministri Edi Rama ka prezantuar detaje të reja mbi projektin “Smart City”, duke deklaruar se brenda 12 muajve të ardhshëm synohet që i gjithë territori i Shqipërisë të jetë nën monitorim të drejtpërdrejtë përmes një sistemi të integruar teknologjik.
Sipas Ramës, projekti do të mbështetet te Inteligjenca Artificiale dhe teknologjitë e avancuara për të rritur parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe për të përmirësuar reagimin e institucioneve të sigurisë.
Kryeministri tha se sistemi i ri do të ndryshojë mënyrën e kontrollit në rrugë, duke shmangur ndalimet fizike të automjeteve nga efektivët dhe duke ia kaluar verifikimet një qendre të centralizuar monitorimi.
“Procesi i ndalimit të automjeteve në rrugë për kontrolle, që më pas shoqërohen edhe me përplasje mes policit dhe drejtuesit të automjetit, nuk do të ndodhë më. Sistemi informon qendrën”, deklaroi Rama.
Ai bëri të ditur gjithashtu se kamerat e trupit të punonjësve të policisë do të lidhen me qendrën e monitorimit, me qëllim që ndërveprimet mes efektivëve dhe qytetarëve të kontrollohen në mënyrë sistematike.
“Kamerat e trupit do të jenë të lidhura me qendrën. Do të jetë e pamundur që të bëhen lojëra. Raporti etik mes një polici dhe një qytetari do të monitorohet në mënyrë sistemike”, u shpreh kryeministri.
Rama theksoi se projekti do të ketë ndikim edhe në sigurinë pranë institucioneve arsimore, duke përfshirë bashkëpunimin me prindërit dhe strukturat e sigurisë në shkolla.
Ai përmendi gjithashtu sfidat e reja që lidhen me përdorimin e teknologjisë nga fëmijët, duke e cilësuar ndikimin e algoritmeve digjitale si një nga rreziqet e kohës moderne.
Sipas kryeministrit, sistemi “Smart City” do të integrojë edhe elementë të platformave të mëparshme digjitale, duke synuar krijimin e një mekanizmi më të plotë për monitorimin e rendit dhe sigurisë publike.
“Shpresojmë që në 12 muajt e ardhshëm e gjithë Shqipëria të jetë live në monitorimin e rendit dhe sigurisë publike”, deklaroi Rama.
