Berisha: PS po e çon Reformën Territoriale pa konsensus, PD do ta kundërshtojë

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi Partinë Socialiste se ka hequr dorë nga dakordësia për Reformën Administrativo-Territoriale dhe synon ta miratojë atë në mënyrë të njëanshme, pa konsensus me opozitën.

Në një deklaratë për mediat nga selia e PD-së, Berisha tha se procesi është ndërprerë pa përfunduar konsultimet e parashikuara dhe akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka urdhëruar mazhorancën të vijojë me reformën pa përfshirjen e opozitës.

“Pala socialiste ka ndryshuar qëndrimin dhe kërkon ta miratojë pa Partinë Demokratike. Ne konstatojmë se po ndërpritet procesi. Nuk kanë përfunduar konsultat e parashikuara dhe të miratuara sipas rregullave”, u shpreh Berisha.

Ai vlerësoi punën e përfaqësuesit demokrat në komision, Luçiano Boçi, duke theksuar se një nga kushtet e opozitës ka qenë asistenca e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës në procesin e reformës.

“Sapo zoti Boçi kërkoi atë që ne kemi pasur kusht që në fillim, që ky komision të asistohet nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, institucion me ekspertizën më të madhe në këtë fushë, papritmas ndryshuan gjërat. Edi Rama duket se urdhëron komisionin të ecë në mënyrë të njëanshme”, deklaroi ai.

Berisha falënderoi gjithashtu Konfederatën Zvicerane, Ambasadën e Zvicrës në Tiranë dhe Delegacionin e Bashkimit Evropian për interesin dhe mbështetjen e dhënë ndaj procesit të reformës.

Në përfundim, kreu i PD-së theksoi se Partia Demokratike mbetet kundër variantit të propozuar nga mazhoranca dhe paralajmëroi se do të përdorë të gjitha mjetet demokratike dhe institucionale për ta kundërshtuar atë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related