Berisha: Ministrja serbe duhet të shpallet “non grata”, kritika edhe ndaj qeverisë shqipta

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi ndaj deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviç, e cila deklaroi se, po të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviçit në vitin 1998, do të kishte kryer spastrim etnik në Kosovë.

Në një konferencë për mediat, Berisha e cilësoi deklaratën të papranueshme dhe kërkoi që autoritetet shqiptare ta shpallin ministren serbe “non grata”.

“Ne kërkuam menjëherë shpalljen ‘non grata’ dhe inicimin e një padie për mbështetje të gjenocidit dhe spastrimit etnik nga një ministre e një vendi që ka kryer këto akte. Për sa kohë ajo qëndron në atë kabinet, ka shprehur mendimin e qeverisë së saj. Të mbash në kabinet një ministre që shpreh keqardhje se nuk u kompletua gjenocidi në Kosovë do të thotë të ndash të njëjtën mendësi”, u shpreh Berisha.

Kreu i PD-së kritikoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë shqiptare për mungesën e një reagimi publik ndaj deklaratës së ministres serbe.

“Së dyti, dënoj me forcën më të madhe heshtjen e qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së një ministreje të Beogradit. Ndërkohë që shpallen ‘non grata’ qytetarë apo përfaqësues politikë shqiptarë në raste të tjera, nuk është ndërmarrë asnjë masë ndaj një ministreje që ka bërë deklarata të tilla. Ky qëndrim, sipas meje, tregon qasjen e qeverisë shqiptare ndaj kësaj çështjeje”, deklaroi Berisha.

Deklaratat e Berishës vijnë pasi qëndrimet e ministres serbe kanë shkaktuar reagime të shumta në Kosovë, Shqipëri dhe në arenën ndërkombëtare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related