Shqipëria do të rikthejë përfaqësinë e saj diplomatike në Republikën e Irlandës, pas vendimit të Këshillit të Ministrave për hapjen e Ambasadës shqiptare në Dublin.
Vendimi është marrë me propozim të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe synon forcimin e marrëdhënieve diplomatike, ekonomike dhe konsullore mes dy vendeve.
Ambasada shqiptare në kryeqytetin irlandez kishte qenë e mbyllur prej vitesh, ndërsa rikthimi i saj pritet të lehtësojë edhe shërbimet për shtetasit shqiptarë që jetojnë në Irlandë.
Sipas vendimit të qeverisë, shpenzimet për hapjen dhe funksionimin e përfaqësisë diplomatike do të përballohen nga buxheti i vitit 2026, përmes programit “Mbështetje diplomatike jashtë shtetit” dhe fondeve të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Ministria është ngarkuar me zbatimin e vendimit, i cili hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.
