Deputeti i Partisë “Mundësia”, Erald Kapri, ka ngritur në Komisionin për Nismat Qytetare çështjen e banorëve të Rrjollit, të cilët kundërshtojnë ndërtimin e një resorti në zonë dhe pretendojnë se pronat e tyre janë tjetërsuar.
Kapri i kërkoi kreut të SPAK-ut, Klodian Braho, sqarime se përse nuk janë nisur hetime për këtë rast, të cilin e krahasoi me zhvillimet në Zvërnec.
“Kam një kërkesë nga banorët e Rrjollit. Dosja e tyre është si ajo e Zvërnecit. Pse nuk keni nisur hetimet?”, pyeti deputeti.
Në përgjigje, Braho shmangu komentimin e një çështjeje konkrete dhe theksoi se kompetenca e SPAK-ut dhe nisja e hetimeve përcaktohen nga faktet dhe kriteret ligjore.
“Kompetencat e institucionit nuk përcaktohen nga dëshira apo vullneti i kallëzuesve, por nga rrethanat faktike”, deklaroi ai.
Kreu i SPAK-ut shtoi se personat që nuk janë dakord me një vendimmarrje kanë të drejtë të ndjekin mjetet ligjore të parashikuara.
Banorët e Rrjollit kanë kundërshtuar projektin turistik të lidhur me ndërtuesin dhe botuesin Bashkim Ulaj, duke ngritur pretendime për tjetërsimin e pronave. Këto pretendime mbeten për t’u verifikuar nga institucionet kompetente.
