Eurostat: Shqipëria humbi 1.8 milionë banorë nga emigracioni gjatë viteve 1990–2025

Data

Shqipëria ka regjistruar një bilanc të vazhdueshëm negativ të migracionit gjatë 35 viteve të fundit, me më shumë qytetarë që janë larguar nga vendi sesa janë kthyer.

Sipas të dhënave të Eurostat, nga viti 1990 deri në vitin 2025 diferenca mes largimeve dhe rikthimeve arriti në rreth 1.8 milionë persona.

Periudha me valën më të fortë të emigracionit ishte ajo e viteve 1990–2001, kur humbja neto e popullsisë arriti në rreth 785.7 mijë persona. Mesatarisht, gjatë kësaj periudhe Shqipëria humbi rreth 65 mijë banorë në vit për shkak të migracionit.

Vitet me bilancin më të lartë negativ ishin 1991, me 123 619 largime më shumë se kthime, 1995 me 118 022, 1997 me 107 503 dhe 1999 me 105 229 persona.

Gjatë viteve 2002–2013 ritmet e largimeve u ngadalësuan, por mbetën të konsiderueshme. Në këtë periudhë, bilanci negativ arriti në rreth 391 mijë persona, ose mesatarisht 33 mijë në vit.

Të dhënat tregojnë se fenomeni u përkeqësua përsëri gjatë viteve 2014–2025. Në këtë interval, humbja neto nga migracioni arriti në rreth 617 mijë persona, me një mesatare prej afro 51 mijë banorësh në vit.

Pas pandemisë, largimet vijuan në nivele të larta. Bilanci negativ ishte 32 853 persona në vitin 2021 dhe 32 497 në vitin 2022. Për vitet 2024 dhe 2025, humbja neto vlerësohet përkatësisht në 28 836 dhe 28 531 persona.

Viti 2023 paraqitet me një bilanc të pazakontë prej rreth 373 mijë personash, i lidhur kryesisht me korrigjimet statistikore pas rezultateve të Censusit 2023.

Emigracioni mbetet një nga faktorët kryesorë të tkurrjes së popullsisë së Shqipërisë. Humbja e vazhdueshme e rreth 28–30 mijë banorëve në vit po ndikon në plakjen e popullsisë, zvogëlimin e forcës së punës dhe ngushtimin e bazës së kontribuuesve në skemat sociale.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related