Një protestuese, gjatë tubimit para Kryeministrisë, ka rikthyer vëmendjen te fondi prej 4.2 milionë eurosh i miratuar për organizimin e koncertit të reperit amerikan Kanye West në Tiranë.
Në fjalën e saj, ajo akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka shpërdoruar fondet publike dhe e cilësoi aktin normativ për financimin e koncertit si të papranueshëm dhe në kundërshtim me Kushtetutën.
“Ne jemi këtu për Shqipërinë, për t’i thënë stop tranzicionit 36-vjeçar. Nuk mund ta mbani të ardhmen e shqiptarëve peng”, u shpreh protestuesja.
Ajo përdori tone ironike ndaj paraqitjes së kryeministrit në takimet ndërkombëtare, duke deklaruar se “me atletet e bardha mendon se mund të mashtrojë liderët ndërkombëtarë”, ndërsa shtoi se, sipas saj, partnerët e huaj e njohin realitetin politik në Shqipëri.
Protestuesja iu referua gjithashtu financimit të koncertit, duke e cilësuar atë si shembull të keqpërdorimit të buxhetit të shtetit.
“Është e turpshme të përdoret buxheti në këtë mënyrë. Tashmë ju ka ardhur fundi”, deklaroi ajo.
Akuzat e ngritura gjatë protestës përfaqësojnë qëndrimin politik të folëses dhe nuk shoqëroheshin me prova të reja gjatë fjalimit.
