Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka vlerësuar mbylljen e tre kapitujve të parë të negociatave me Shqipërinë, duke e cilësuar këtë zhvillim si një arritje të rëndësishme në rrugën e integrimit evropian.
Gjatë fjalës së saj në Konferencën e nëntë Ndërqeveritare në Bruksel, Kos përgëzoi Shqipërinë për përputhjen me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian dhe për përmbushjen e piketave të ndërmjetme në fushën e sundimit të ligjit.
“Sot mbyllëm tre kapitujt e parë me Shqipërinë. Është një arritje e madhe. Tre kapituj përfunduan dhe kanë mbetur edhe 30 të tjerë”, deklaroi ajo.
Komisionerja theksoi se mbyllja e kapitujve përbën vetëm një hap të ndërmjetëm dhe se Shqipëria duhet të vijojë me zbatimin e reformave, veçanërisht në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Duhet të jemi të qartë: reformat në këto fusha duhet të thellohen, ndërsa Shqipëria ecën përpara”, u shpreh Kos.
Ajo kërkoi që procesi i reformave të zhvillohet në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, duke përfshirë shoqërinë civile, grupet e interesit dhe publikun e gjerë.
Kos iu referua gjithashtu mbështetjes së lartë të qytetarëve shqiptarë për integrimin evropian, duke deklaruar se, sipas sondazhit të fundit, 92 për qind mbështesin anëtarësimin, 94 për qind besojnë se ai do të sjellë përfitime dhe 93 për qind shprehin besim te Bashkimi Evropian.
Komisionerja siguroi se do të vijojë ta mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt objektivit të avancimit të negociatave deri në fund të vitit 2027.
