Një fenomen atmosferik i pazakontë është regjistruar në bregdetin e Hendaye, në jugperëndim të Francës, ku një re gjigante, me pamje të ngjashme me një valë cunami, mbuloi plazhin dhe ndryshoi në mënyrë drastike kushtet e motit.
Sipas raportimeve të mediave franceze, brenda vetëm pak minutash një masë e ftohtë ajrore e shoqëruar me erëra të forta perëndimore shkaktoi një rënie të menjëhershme të temperaturës me rreth 20 gradë Celsius, ndërsa pamjet e fenomenit u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale.
Ekspertët shpjegojnë se bëhet fjalë për fenomenin meteorologjik të njohur si “galernë”, karakteristik për bregdetin e Vendit Bask dhe Gjirin e Biskajës.
Ky fenomen ndodh kur ajri i ftohtë mbi det depërton me shpejtësi drejt tokës së nxehur nga temperaturat e larta, duke krijuar një front të fuqishëm me re të ulëta, erëra intensive dhe rënie të menjëhershme të temperaturës.
Sipas meteorologëve, gjatë një “galerne”, shpejtësia e erës mund të arrijë deri në 95 kilometra në orë, ndërsa ndryshimet e motit ndodhin brenda pak minutash, duke e bërë fenomenin spektakolar, por edhe potencialisht të rrezikshëm për pushuesit dhe lundruesit.
