BE dënon deklaratat e ministres serbe për Kosovën: Nuk ka vend për retorikë që promovon spastrimin etnik

Data

Bashkimi Evropian ka dënuar deklaratat e ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të kishte qenë në vend të ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, deklaroi në Bruksel se, edhe pse BE-ja nuk komenton deklarata individuale të politikanëve, qëndrime të tilla janë të papranueshme.

“Në Evropë nuk ka vend për retorikë që arsyeton ose promovon spastrimin etnik. Deklarata të tilla bien ndesh me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimit, llogaridhënies dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian.”

Sipas Hipper, deklaratat bien ndesh edhe me angazhimet që Serbia ka marrë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Presim që të gjithë liderët të veprojnë me përgjegjësi, të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të kontribuojnë në krijimin e një klime besimi dhe stabiliteti rajonal.”

Deklarata që shkaktoi reagimet

Ministrja Snezhana Paunoviq deklaroi në një intervistë për televizionin serb Kurir se, po të kishte qenë në vend të Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.

Më vonë ajo sqaroi se nuk nënkuptonte likuidimin e shqiptarëve, por largimin e atyre që, sipas saj, “nuk ndiheshin qytetarë të Republikës Federale të Jugosllavisë”.

Pas reagimeve, Paunoviq deklaroi se nuk tërhiqet nga qëndrimet e saj dhe riafirmoi mbështetjen për politikat e Partisë Socialiste të Serbisë, pjesë e së cilës është prej vitit 1992.

Reagimi në Serbi

Kryetari i Partisë Socialiste të Serbisë dhe ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq, i cilësoi kritikat ndaj Paunoviqit si “të turpshme dhe hipokrite”, duke pretenduar se kritikat ndaj saj injorojnë, sipas tij, situatën e serbëve në Kosovë.

Konteksti historik

Lufta në Kosovë (1998–1999) shkaktoi mbi 13.000 viktima civile, ndërsa mijëra persona u zhdukën. Mbi 1.500 persona, shumica shqiptarë, vazhdojnë të figurojnë të zhdukur.

Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë konstatoi se drejtues të atëhershëm të Republikës Federale të Jugosllavisë ishin pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale, me qëllim dëbimin me forcë të qindra mijëra shqiptarëve të Kosovës dhe ndryshimin e përbërjes etnike të territorit.

Për këto krime u dënuan disa zyrtarë të lartë ushtarakë dhe politikë serbë, ndërsa ish-presidenti Sllobodan Millosheviq vdiq gjatë procesit gjyqësor në Hagë, pa u shpallur vendimi përfundimtar.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related