Kancelari gjerman Friedrich Merz i ka bërë thirrje presidentit rus Vladimir Putin të ndalojë sulmet ndaj Ukrainës dhe të rikthehet në tryezën e negociatave për t’i dhënë fund luftës.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp në Paris, së bashku me presidentin francez, presidentin ukrainas dhe kryeministrin britanik, Merz deklaroi se vendet e ashtuquajtura “Koalicioni i të Gatshmëve” kanë rënë dakord të vazhdojnë mbështetjen për Ukrainën, duke rritur njëkohësisht presionin ndaj Rusisë përmes masave të reja.
Kancelari gjerman theksoi se qëllimi i kësaj mbështetjeje nuk është zgjatja e konfliktit, por krijimi i kushteve për përfundimin e tij.
“Ne po e bëjmë këtë jo për ta zgjatur luftën, por për t’i dhënë fund asaj sa më shpejt të jetë e mundur.”
Merz i drejtoi gjithashtu një mesazh të drejtpërdrejtë Moskës, duke kërkuar rifillimin e dialogut diplomatik.
“Mesazhi ynë për Rusinë është: Është koha të vini në tryezën e negociatave. Është koha të bini dakord për një armëpushim. Është koha për t’i dhënë fund gjakderdhjes së panevojshme në Ukrainë.”
Deklaratat e kancelarit gjerman vijnë në një moment kur vendet aleate të Ukrainës po koordinojnë përpjekjet për të forcuar mbështetjen ushtarake dhe politike ndaj Kievit, ndërsa vazhdojnë thirrjet ndërkombëtare për një zgjidhje diplomatike të konfliktit.
