“Hell Gate” për protestën në Nju Jork: Shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës, kritika edhe për Eric Adams

Data

Portali amerikan “Hell Gate” i ka kushtuar një artikull protestës së zhvilluar të shtunën në Nju Jork nga pjesëtarë të komunitetit shqiptar kundër kryeministrit Edi Rama.

Sipas medias, më shumë se 150 persona morën pjesë në tubim, i cili u zhvillua në kuadër të lëvizjes së njohur si “Revolucioni i Flamingos”. Protestuesit kërkuan dorëheqjen e Ramës dhe ngritën akuza ndaj qeverisjes së tij.

Artikulli e lidh protestën me kundërshtimin ndaj projekteve turistike të planifikuara në ishullin e Sazanit dhe në zonën e Vjosë-Nartës, të lidhura me Jared Kushner dhe Ivanka Trump. Sipas “Hell Gate”, flamingot janë kthyer në simbol të lëvizjes për shkak të shqetësimeve mbi ndikimin që projektet mund të kenë në ekosistemin e zonës.

Media amerikane ndalet gjithashtu te debati për financimin publik të koncertit të Kanye West në Shqipëri, duke raportuar se kjo çështje ka shtuar pakënaqësinë e protestuesve.

Në artikull trajtohet edhe marrëdhënia mes Edi Ramës dhe ish-kryebashkiakut të Nju Jorkut, Eric Adams, i cili ka zhvilluar disa aktivitete me komunitetin shqiptar dhe ka vizituar Shqipërinë gjatë mandatit të tij.

Sipas medias, një pjesë e protestuesve kritikoi afërsinë e Adams me kryeministrin shqiptar dhe i kërkoi atij të distancohej politikisht nga Rama.

“Hell Gate” kujton se Adams ka organizuar aktivitete kushtuar trashëgimisë shqiptare, ka mbështetur paradën shqiptare në Nju Jork dhe ka përdorur shpesh një gjuhë miqësore ndaj komunitetit.

Megjithatë, protestuesit e pranishëm në tubim argumentuan se kjo marrëdhënie nuk duhet të shndërrohet në mbështetje për qeverinë shqiptare dhe kërkuan që përfaqësuesit amerikanë të dëgjojnë edhe shqetësimet e diasporës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related