Një protestues që mori fjalën gjatë tubimit të 44-t para Kryeministrisë u bëri thirrje qytetarëve që këtë verë të lënë mënjanë pushimet dhe t’i bashkohen protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Ai deklaroi se prej 44 ditësh protestuesit po kërkojnë më shumë drejtësi, mundësi punësimi dhe një të ardhme më të mirë në Shqipëri.
Sipas tij, një nga qëllimet kryesore të protestës është krijimi i kushteve që të rinjtë dhe familjet shqiptare të mos detyrohen të largohen nga vendi.
“Ne nuk duam të largohemi. Duam ta ndërtojmë të ardhmen tonë në Shqipëri. Jemi këtu për një Shqipëri të re”, u shpreh ai.
Në përfundim të fjalës, protestuesi kërkoi pjesëmarrje më të madhe qytetare në tubimet e përditshme.
“Për shqiptarët këtë vit nuk do të ketë pushime. Pushimet do të bëhen në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’. Ju bëj thirrje: bojkotoni pushimet”, deklaroi ai.
