Protestat që po zhvillohen prej javësh në Shqipëri kanë marrë sërish vëmendjen e mediave ndërkombëtare, të cilat i kanë lidhur tubimet jo vetëm me projektet turistike në zonat e mbrojtura, por edhe me financimin publik të koncertit të Kanye West në Tiranë.
Televizioni gjerman N-TV raportoi se mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe duke kundërshtuar përdorimin e fondeve shtetërore për organizimin e koncertit të artistit amerikan.
Sipas medias gjermane, kritikat u shtuan pasi u raportua se qeveria shqiptare kishte shpenzuar mbi 4 milionë euro për realizimin e aktivitetit. Në shkrim përmendet gjithashtu takimi i Ramës me Kanye West përpara koncertit dhe publikimi i pamjeve nga ky takim.
N-TV e vendos këtë debat në kontekstin e protestave të përditshme që po zhvillohen në Tiranë. Sipas raportimit, qytetarët kundërshtojnë edhe projektet e planifikuara turistike në zonën e Zvërnecit dhe në ishullin e Sazanit, të lidhura me Jared Kushnerin dhe Ivanka Trump.
Media gjermane shkruan se protestat për projektin e Zvërnecit nisën pas shfaqjes së rrethimeve dhe mjeteve të rënda në zonë. Laguna e Vjosë-Nartës përshkruhet si një hapësirë e rëndësishme natyrore për shpendët shtegtarë dhe flamingot.
Raportimi thekson se qeveria shqiptare synon të nxisë zhvillimin ekonomik përmes turizmit, ndërsa kritikët ngrenë shqetësime për përdorimin e fondeve publike, ndikimin e projekteve luksoze në zonat e mbrojtura dhe mungesën e transparencës.
Jehona ndërkombëtare e koncertit dhe protestave ka ushqyer debatin në vend mes qeverisë, e cila e paraqet aktivitetin si një sukses turistik dhe ekonomik, dhe kundërshtarëve të saj, të cilët e shohin atë si shembull të keqpërdorimit të parave publike.
