Gjykata e Fierit ka lënë në fuqi masat e sigurisë për tri vajzat e dyshuara për dhunimin e një 17-vjeçareje, ngjarje e ndodhur më 8 qershor dhe e bërë publike pas publikimit të pamjeve në rrjetet sociale.
Në seancën për verifikimin e masave, gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë, duke vendosur masën “arrest me burg” për 20-vjeçaren e dyshuar si e përfshirë në ngjarje.
Për njërën prej dy të miturave 15-vjeçare u konfirmua masa “arrest në shtëpi”, ndërsa për 15-vjeçaren tjetër u vendos masa “shtrim i përkohshëm në spital psikiatrik”.
Sipas autoriteteve, masat janë caktuar duke marrë në konsideratë moshën e secilës prej të dyshuarave dhe shkallën e përfshirjes së tyre në ngjarjen që po hetohet. Prokuroria e Fierit vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Nëna e 15-vjeçares për të cilën u vendos shtrimi i përkohshëm në spital psikiatrik deklaroi se familja kishte kërkuar ndihmë prej kohësh për problemet e vajzës. Sipas saj, ata iu drejtuan shkollës dhe Zyrës Arsimore, ndërsa më pas vendosën ta regjistronin në një shkollë private, ku, sipas saj, e mitura nuk arriti të ndiqte mësimin pasi ndihej e bullizuar. Ajo shtoi gjithashtu se nuk është në dijeni të diagnozës apo trajtimit që po merr vajza.
Sipas hetimeve paraprake, ngjarja ndodhi në banesën e 20-vjeçares. Pamjet e dhunës u regjistruan dhe më vonë u publikuan në rrjetet sociale. Pas ngjarjes, 17-vjeçarja i tregoi nënës së saj çfarë kishte ndodhur dhe më pas u bë kallëzimi në polici.
Sipas Policisë, të dyshuarat kanë pranuar në deklarimet e tyre fillestare përfshirjen në dhunimin e 17-vjeçares, ndërsa motivet e paraqitura prej tyre po verifikohen në kuadër të hetimeve.
