Është publikuar fotoja e 40-vjeçarit Aleksandër Koçeku, i cili u vra mbrëmjen e së shtunës në një atentat të mirëorganizuar në zonën e Kirit të Dukagjinit, në aksin rrugor Kir–Prekal.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, ndaj Koçekut është qëlluar me breshëri automatiku, ndërsa në vendngjarje janë sekuestruar 25 gëzhoja, të gjitha të qitura nga e njëjta armë. Hetuesit dyshojnë se autorët kishin planifikuar me kujdes lëvizjet e viktimës dhe i kishin zënë pritë për ta ekzekutuar.
40-vjeçari humbi jetën në vend si pasojë e plagëve të marra. Trupi i tij u gjet nga një kalimtar i rastësishëm, i cili njoftoi menjëherë Policinë.
Ekspertët e kriminalistikës kanë kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe po analizojnë provat e sekuestruara, ndërsa po verifikohen edhe pamjet e kamerave të sigurisë përgjatë itinerarit të ndjekur nga viktima, pasi zona ku ndodhi atentati nuk mbulohet nga kamera.
Pista kryesore e hetimit mbetet hakmarrja, e lidhur me konfliktin e hershëm mes familjeve Koçeku dhe Shkambi. Sipas hetimeve, konflikti daton që nga viti 2017, kur Artan Koçeku, vëllai i viktimës, vrau me armë zjarri Angjelin Shkambin, krim për të cilin ai po vuan dënimin me burg.
Familjarët kanë deklaruar se Aleksandër Koçeku jetonte prej vitesh nën frikën e hakmarrjes dhe tregonte kujdes të vazhdueshëm në lëvizjet e tij.
Ndërkohë, ceremonia mortore për 40-vjeçarin pritet të zhvillohet ditën e nesërme në varrezat katolike të Grudës së Re, ndërsa Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të atentatit.
