Lëvizja qytetare e njohur si “Revolucioni i Flamingove” po sfidon modelin tradicional të protestave politike në Shqipëri, duke sjellë një formë të re rezistence të bazuar te pjesëmarrja qytetare, arti, kreativiteti dhe karakteri paqësor. Ky është përfundimi i një analize të publikuar nga BIRN, e cila vlerëson se protesta ka krijuar një kulturë të re të të protestuarit, ndryshe nga tubimet partiake që kanë dominuar tranzicionin shqiptar.
Sipas BIRN, ndryshe nga protestat e dekadave të fundit, kjo lëvizje nuk mbështetet te strukturat politike tradicionale, por te organizimi qytetar, simbolika, performancat artistike dhe mesazhet kreative, duke synuar të sfidojë establishmentin politik pa përdorur dhunë.
Aktivisti i organizatës “Qëndresa Qytetare”, Migen Qiraxhi, e cilëson protestën si një model të ri pjesëmarrjeje qytetare.
“Revolucioni i Flamingove ka treguar se protesta mund të jetë goditëse pa qenë e dhunshme, politike pa qenë partiake dhe e qëndrueshme pa pasur një drejtues të vetëm”, shprehet ai.
Në analizë theksohet edhe përdorimi i artit dhe muzikës si mjete komunikimi. Protestues të ndryshëm kanë përshtatur këngë të njohura shqiptare për të përcjellë mesazhet e tyre, ndërsa pankartat, performancat dhe ironia janë kthyer në elementë të rëndësishëm të protestës.
Skenaristi dhe eksperti i komunikimit, Koloreto Cukali, vlerëson se kjo lëvizje përfaqëson një ndryshim të rëndësishëm në kulturën e protestës në Shqipëri.
Sipas tij, ndryshe nga protestat e së kaluarës, të cilat shpesh shoqëroheshin me përplasje dhe tension, kjo lëvizje ka nxjerrë në pah një model proteste paqësore dhe qytetare.
“Njerëzit nuk po kërkojnë të imponohen përmes dhunës, por përmes këngës, humorit, ironisë dhe pjesëmarrjes”, thekson Cukali.
Në analizën e saj, BIRN ndalet edhe te roli i Gjeneratës Z, duke vënë në dukje se të rinjtë kanë sjellë forma të reja komunikimi politik, të frymëzuara nga kultura digjitale, memet dhe rrjetet sociale. Sipas autorëve, kjo ka ndikuar në krijimin e sloganeve dhe mesazheve spontane që nuk burojnë nga partitë politike, por nga vetë pjesëmarrësit.
Artikulli përfundon se “Revolucioni i Flamingove” ka krijuar një model të ri proteste qytetare në Shqipëri, ku pjesëmarrja, kreativiteti dhe karakteri paqësor shihen si elementë që e dallojnë nga protestat tradicionale të tranzicionit.
