Ka nisur protesta e 42-të qytetare kundër qeverisë në Tiranë. Qytetarët janë mbledhur në sheshin “Skënderbej”, nga ku pritet të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Sipas organizatorëve, edhe në tubimin e kësaj mbrëmjeje pritet të marrin pjesë shqiptarë nga diaspora, të cilët prej javësh kanë shprehur mbështetjen e tyre për protestën dhe kauzat e saj.
Protestuesit vijojnë të kërkojnë ndryshime politike dhe largimin e kryeministrit, ndërsa marshimi drejt Kryeministrisë pritet të zhvillohet pas grumbullimit në sheshin qendror të kryeqytetit.
Një ditë më parë, pjesëmarrësit marshuan në disa nga akset kryesore të Tiranës, duke mbajtur pankarta dhe duke brohoritur slogane si “Qeveri e krimit”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Shqipëria kërkon revolucion” dhe “Rama jep dorëheqjen”.
Protestat qytetare kanë hyrë tashmë në ditën e 42-të, ndërsa organizatorët kanë deklaruar se tubimet do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim.
