Një qytetare që mori pjesë në protestën e 42-të para Kryeministrisë deklaroi se punon në administratën publike dhe se prania e saj në tubim mund t’i kushtojë vendin e punës. Megjithatë, ajo tha se ka vendosur të mos heshtë më, duke e cilësuar mbrojtjen e vendit si më të rëndësishme se çdo interes personal.
Në fjalën e saj, protestuesja tregoi se e kishte votuar kryeministrin Edi Rama në tri zgjedhje, por sot ndihet e zhgënjyer nga qeverisja. Duke përdorur një shprehje figurative, ajo tha se është “gati të presë dorën”, për të treguar pendesën për mbështetjen që i ka dhënë.
“Rrezikoj shumë duke qenë këtu, por krahasuar me rrezikun që i kanoset vendit, humbja e punës është një e keqe shumë më e vogël. Punoj në administratë, por atdheu është më i rëndësishëm. Shqipëria na ka dhënë mundësinë të jetojmë dhe ta ndërtojmë jetën tonë”, u shpreh ajo.
Qytetarja tha se në fillim kishte besuar se qeveria do të sillte ndryshime pozitive, por me kalimin e viteve ishte zhgënjyer.
“E votova tri herë, sepse shpresoja se do ta ndryshonte vendin. Disa gjëra pozitive i njoh, por sot jam e zhgënjyer. Ai e sheh Shqipërinë si një telajo të madhe ku realizon vizionin e tij, ndërsa qytetarët i sheh si figurantë”, deklaroi ajo.
Në fund të fjalës së saj, protestuesja u ndal te rëndësia e kapërcimit të frikës, duke thënë se ky ishte motivi që e kishte nxitur të dilte publikisht në protestë.
“Duhet të vrasim frikën, sepse frika të bën të heshtësh dhe të pranosh gjithçka. Unë e kam vrarë frikën dhe jam këtu, edhe nëse kjo më kushton vendin e punës”, përfundoi ajo.
