Pak orë para nisjes së koncertit të reperit amerikan Kanye West, qindra fansa kanë nisur të mblidhen në “Eagle Stadium”, ku pritet të zhvillohet eventi muzikor mbrëmjen e sotme në orën 20:00.
Mes të pranishmëve ka vizitorë nga vende të ndryshme, të cilët kanë udhëtuar drejt Shqipërisë posaçërisht për të ndjekur performancën e artistit.
“Vijmë nga Greqia, është hera e parë këtu. Nga koncerti presim më të mirën,” u shpreh një i ri.
Një tjetër vizitor nga Greqia tha: “Është hera e parë që vij në Shqipëri. E dua Shqipërinë.”
Ndërkohë, një vajzë që jeton në Irlandë tregoi se kishte ardhur nga Tepelena për koncertin. “Jetojmë në Irlandë, por kemi ardhur për të ndjekur koncertin. Presim një atmosferë të bukur,” tha ajo.
Edhe një grup të rinjsh nga Greqia vlerësuan mikpritjen dhe atmosferën në vend. “Shqipëria është mahnitëse. E duam Shqipërinë,” u shprehën ata.
“Eagle Stadium” ndodhet në kilometrin e parë të autostradës Tiranë–Durrës. Organizatorët kanë vënë në dispozicion autobusë të dedikuar, të cilët nisen nga qendra e Tiranës çdo 20 minuta për të transportuar pjesëmarrësit drejt stadiumit.
