Konflikti për kontrollin dhe vijimin e punimeve në Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është përshkallëzuar edhe më tej, ndërsa biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar publikisht me akuza të forta ndaj autoriteteve dhe Policisë së Shtetit.
Përmes një deklarate në rrjetet sociale, Pacolli tha se punëtorëve dhe stafit të kompanisë së tij po u mohohet hyrja në kantier dhe qasja në pajisjet e punës, ndërsa terminali, sipas tij, “po mbahet peng”.
“Prapë pengesa, prapë bllokada, prapë privim i njerëzve nga e drejta elementare për të punuar dhe për të pasur qasje në pronën e tyre”, shkroi Behgjet Pacolli.
Ai pretendon se kompjuterë dhe pajisje sensitive të kompanisë janë duke u vjedhur nga persona që, sipas tij, kanë uzurpuar hapësirat ku ndodhen mjetet e punës së inxhinierëve dhe punonjësve.
Sipas Pacollit, e gjithë situata po ndodh në prani të Policisë së Shtetit, e cila, sipas tij, po pengon hyrjen e stafit në ambientet e aeroportit.
“Kush i ka urdhëruar këto veprime dhe kush po e mban peng këtë proces?”, pyeti ai publikisht, duke kërkuar hetim të menjëhershëm për situatën.
Biznesmeni theksoi se kompania Mabco Construction ka investuar qindra miliona euro në projekt dhe paralajmëroi se heshtja përballë bllokimit dhe pretendimeve për vjedhje përbën përgjegjësi institucionale.
Përplasja mes palëve për administrimin dhe kontrollin e aeroportit ka sjellë tensione të vazhdueshme gjatë ditëve të fundit, ndërsa çështja po trajtohet edhe në rrugë gjyqësore.
