Rusia ka ndërmarrë një valë të re sulmesh me raketa dhe dronë ndaj Ukrainës, duke shkaktuar të paktën dy viktima dhe 19 të plagosur, ndërsa Kievi vijon të kërkojë mbështetje shtesë ushtarake nga aleatët perëndimorë.
Sipas autoriteteve ukrainase, 11 persona mbetën të plagosur në kryeqytetin Kiev, ku forcat ruse përdorën raketa balistike, raketa lundruese (cruise) dhe dronë. Sulmet goditën edhe objekte të infrastrukturës civile.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se objektivat civile u goditën përpara se të aktivizoheshin sirenat e alarmit ajror, ndërsa ekipet e emergjencës u angazhuan menjëherë në zonat e prekura.
“Mbrojtësit tanë arritën të rrëzonin shumicën e objektivave, por jo raketat balistike,” u shpreh Zelensky, duke u bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë të përshpejtojnë dërgimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe municioneve të premtuara gjatë samitit të fundit të NATO-s.
Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se forcat e saj kanë marrë kontrollin e vendbanimit Bakhivsk në rajonin Sumy të Ukrainës, një pretendim që nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur nga autoritetet ukrainase.
Luftimet mes dy vendeve vijojnë me intensitet të lartë, ndërsa situata në terren mbetet e paqëndrueshme dhe përpjekjet diplomatike për një armëpushim nuk kanë sjellë ende rezultate konkrete.
