Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Dorian Teliti, ka kritikuar politikat ekonomike të qeverisë, duke u ndalur te situata e pensionistëve dhe përdorimi i fondeve publike.
Në një reagim publik, Teliti pretendon se 87% e pensionistëve nuk arrijnë të përballojnë shpenzimet bazë me pensionin që marrin, ndërsa akuzon qeverinë se po orienton miliona euro drejt organizimit të eventeve dhe aktiviteteve publike.
Sipas tij, fondet publike po përdoren për “koncerte luksi, skena, ndriçime dhe aktivitete propagandistike”, ndërkohë që pensionistët përballen me vështirësi ekonomike.
“Ndërsa prindërit dhe gjyshërit tanë zvarriten për të shtyrë muajin me pensione qesharake, qeveria gjen miliona euro nga taksat tona për të paguar koncerte luksi, drita, skena dhe sfilata propagandistike,” shprehet Teliti.
Ai shton se, sipas tij, shpenzimet për aktivitete që zgjasin vetëm pak orë nuk mund të justifikohen përballë vështirësive me të cilat përballen shtresat më të pambrojtura të shoqërisë.
Në reagimin e tij, përfaqësuesi i opozitës e cilëson situatën jo vetëm si një problem ekonomik, por edhe moral.
“Ky nuk është thjesht dështim ekonomik. Ky është falimentim moral. Nuk mund të ketë një Shqipëri që shkëlqen në ekrane, ndërsa brezi që ndërtoi këtë vend nuk arrin të sigurojë nevojat bazë të jetesës,” deklaron Teliti.
Në përfundim, ai i bën thirrje qeverisë të ndryshojë prioritetet e shpenzimeve publike dhe të fokusohet te mbështetja e pensionistëve dhe shtresave në nevojë.
