Gjykata e Fierit ka caktuar masat e sigurisë për tre vajzat e dyshuara si të përfshira në dhunimin e një 17-vjeçareje, ngjarje e bërë publike përmes pamjeve të shpërndara në rrjetet sociale.
Me kërkesë të Prokurorisë së Fierit, gjykata vendosi masat:
- “Arrest me burg” për shtetasen L.L.;
- “Arrest në shtëpi” për të miturën K.G.;
- “Shtrim i përkohshëm në një institucion psikiatrik” për të miturën M.R.
Sipas Prokurorisë, gjatë hetimeve janë mbledhur prova që kanë ngritur dyshimin e arsyeshëm se të dyshuarat kanë kryer veprën penale të “Heqjes së paligjshme të lirisë”, të parashikuar nga neni 110 i Kodit Penal, në bashkëpunim.
Organi i akuzës sqaron se procedimi penal lidhet me ngjarjen e dhunës ndaj një të miture, e cila u bë publike përmes rrjeteve sociale. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe rolin e secilës prej të përfshirave.
Prokuroria thekson se faktet e deritanishme kanë diktuar nevojën për marrjen e masave të sigurimit personal ndaj të dyshuarave.
Thirrje për mbrojtjen e të miturve
Duke qenë se në procedim janë të përfshirë persona të mitur, Prokuroria e Fierit u bën thirrje qytetarëve, administratorëve të faqeve në rrjetet sociale dhe mediave që të mos publikojnë apo ripublikojnë pamje, video ose të dhëna që mund të çojnë në identifikimin e të miturve.
Sipas institucionit të akuzës, respektimi i privatësisë, dinjitetit dhe të drejtave të të miturve është detyrim ligjor dhe duhet të zbatohet gjatë raportimit të kësaj ngjarjeje.
