Tabaku: Pensionistët po jetojnë në kufijtë e varfërisë, propaganda nuk fsheh dështimin ekonomik

Data

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se po përpiqet të shmangë përgjegjësinë për situatën ekonomike në vend përmes, sipas saj, “vetëviktimizimit” dhe krijimit të armiqve të brendshëm e të jashtëm.

Në një reagim publik, Tabaku deklaron se nuk ekziston një agresion i organizuar politik apo ekonomik kundër Shqipërisë, por se qytetarët po reagojnë ndaj një sistemi që, sipas saj, favorizon një pakicë dhe rëndon shumicën.

“Dështimi ekonomik nuk fshihet dot pas propagandës. Ai reflektohet në tryezën gjithnjë e më të varfër të familjeve shqiptare dhe te pensionistët që jetojnë në kufijtë e varfërisë,” shprehet deputetja demokrate.

Ajo thekson se, sipas standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare, 27% e pensionistëve konsiderohen të varfër, duke e cilësuar këtë si një tregues shqetësues të gjendjes sociale në vend.

Tabaku u ndal edhe te sektori i turizmit, duke deklaruar se një nga shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare rrezikohet nga korrupsioni, informaliteti dhe mungesa e një strategjie afatgjatë.

Sipas saj, modeli aktual i qeverisjes ka krijuar një sistem që dëmton zhvillimin ekonomik dhe nxit largimin e qytetarëve nga Shqipëria.

“Ky sistem i pakicës ka krijuar një moçal që po fundos ekonominë dhe po largon shqiptarët nga vendi i tyre. Gjithçka tjetër është propagandë dhe një përpjekje për të mbajtur në këmbë pushtetin,” deklaron Tabaku.

Në përfundim të reagimit, deputetja e Partisë Demokratike bën thirrje për ndryshim politik, duke theksuar se, sipas saj, vendi ka nevojë për një model të ri zhvillimi dhe qeverisjeje.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related