Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka vendosur të zgjasë me tre muaj afatin e hetimeve për vrasjen e 19-vjeçarit Pavlin Preka, ngjarje e ndodhur më 26 shkurt 2025 në fshatin Guci e Re.
Sipas organit të akuzës, vendimi është marrë pasi mbeten ende një sërë veprimesh hetimore për t’u kryer, përfshirë administrimin e ekspertimeve, marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe personave të dyshuar, si dhe analizimin e plotë të provave të mbledhura.
Për këtë çështje janë arrestuar Vasel Koçeku dhe Klaudio Lisaj, ndërsa nën dyshim për përfshirje në ngjarje është edhe Aleksandër Koçeku.
Sipas Prokurorisë, nga hetimet paraprake rezulton se tre të dyshuarit dyshohet se kanë planifikuar dhe realizuar vrasjen e Pavlin Prekës, pasi ai kishte planifikuar të rrëmbente vajzën e Vasel Koçekut me qëllim fejese, pavarësisht se e mitura nuk kishte shprehur pëlqimin e saj. Sipas dosjes hetimore, viktima mbante të tatuazhuar emrin e vajzës në qafë.
Organi i akuzës thekson se ende nuk janë administruar të gjitha aktet e ekspertimit dhe se është e nevojshme të përfundojnë edhe marrjet në pyetje të personave që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Përfundimi i hetimeve do të bëhet pas harmonizimit të provave të mbledhura me rezultatet e veprimeve të reja procedurale.
Me vendimin e fundit, afati i hetimeve është shtyrë deri më 15 shtator 2026.
